Instituti Albanologjik - Prishtinë
VEPRIMTARIA SHKENCORE

Veprimtaria kërkimore-shkencore e Institutit realizohet përmes projekteve shkencore, punëve hulumtuese në terren, hulumtimeve në arkiva, organizimit të tubimeve shkencore dhe nëpërmjet të veprimtarisë botuese.

 

Projektet shkencore

Pas gjashtë dekadave të punës shkencore, ndonëse me ndërprerje, në Institut janë realizuar një numër i madh projektesh kolektive dhe individuale nga gjuhësia, letërsia, historia, folklori dhe etnologjia. Shumica e projekteve të kryera janë botuar në botime të veçanta, monografi, përmbledhje të veçanta studimesh, në periodikun e Institutit dhe më gjerë.

Nga fusha e gjuhësisë janë realizuar projektet nga leksikografia (botimi i disa fjalorëve dygjuhësorë, drejtshkrimorë etj.), dialektologjia, kultura e gjuhës, onomastika etj. Pastaj, nga letërsia janë realizuar projekte nga historia e letërsisë, teoria dhe kritika letrare si dhe studime të veçanta për shkrimtarë e periudha letrare. Nga fusha folklorit është realizuar projekti i përbashkët i botimit të materialeve folklorike në njëzeteshtatë vëllime të veçanta dhe një numër studimesh monografike. Nga historia janë realizuar projekte për probleme të ndryshme arkeologjike si dhe projekte të tjera ku trajtohen tema historike, duke filluar nga mesjeta e deri te historia më e re kombëtare. Nga fusha e etnologjisë janë realizuar projekte që kanë të bëjnë me kulturën shqiptare, doket dhe zakonet.

 

Ekspeditat kërkimore-shkencore në terren

Ekspeditat kërkimore shkencore organizohen në mënyrë kolektive dhe individuale. Ekspeditat kolektive organizohen në zona të ndryshme të Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare, kryesisht aty ku trashëgimia kulturore dhe materiale është më e konservuar. Pas luftës në Kosovë, janë organizuar ekspedita të përbashkëta hulumtuese me hulumtues e studiues nga institutet simotra të Shqipërisë dhe të Maqedonisë nëpër zona të veçanta gjuhësore e etnografike në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni. Kështu, Instituti ka realizuar 6 ekspedita të përbashkëta me institucionet shkencore të Shqipërisë (Institutin e Kulturës Popullore (sot Instituti i Antropologjisë dhe i Studimit të Artit), Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë dhe me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë) dhe të Maqedonisë (Instituti për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Materiale të Shqiptarëve në Maqedoni). Në vitin 2001 dhe 2002 është realizuar ekspedita nga fusha e folklorit dhe etnologjisë në zonën etnografike të Hasit, në të dyja anët e kufirit shtetëror. Nga fusha e Gjuhësisë, në vitin 2001 është realizuar ekspedita në zonën e Lypjanit e Shtimes, në vitin 2002 në zonën e Ferizajt dhe Kaçanikut, dhe në vitin 2003 në rajonin e Anamoravës. Gjatë vitit 2004 studiuesit e folklorit e të etnologjisë kanë realizuar ekspeditën kolektive në fshatrat e Suharekës e Rahovecit, arkeologët kanë bërë hulumtime arkeologjike në zona të veçanta në Kosovë, gjuhëtarët kanë mbledhur material me interes gjuhësor në fshatrat e rrethit të Prizrenit. Më 2010, në bashkëpunim me Institutin për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Materiale të Shqiptarëve në Maqedoni, është organizuar ekspedita shumëdisiplinore hulumtuese në rrethinën e Kumanovës, e cila, përveç mbledhjes së materialit, ka pasur si synim shtesë edhe ngritjen e kapaciteteve hulumtuese-kërkimore të institutit shkupjan.

 Në këto ekspedita kolektive marrin pjesë grupe të studiuesve shkencorë me profile, përvoja dhe mosha të ndryshme, ashtu që përveç mbledhjes dhe hulumtimit të materialeve në terren, mundësohet edhe një përvojë heterogjene brenda grupit, duke i shkëmbyer përvojat edhe vetë pjesëmarrësit në ekspeditë. Ekspeditat realizohen me mjete moderne incizuese e transportuese.

Materialet e mbledhura nëpër ekspedita dorëzohen në Arkivin e Institutit dhe pastaj evidencohen e përpunohen për të shërbyer për studime të mëtutjeshme. Përveç ekspeditave kolektive, janë edhe ato individuale, ku hulumtuesit shkencorë dalin në terren për të studiuar problematika të veçanta të dukurive. Edhe këto janë të përkrahura nga Instituti Albanologjik.

Në kuadër të veprimtarisë kërkimore–shkencore është edhe puna hulumtuese në biblioteka dhe arkiva brenda Kosovës si dhe në Shqipëri, Maqedoni e në vende të tjera. Krahas bashkëpunimit që Instituti Albanologjik zhvillon me shumë institucione kombëtare e ndërkombëtare, është mundësuar realizimi i disa hulumtimeve individuale, për literaturë dhe dokumente arkivore në bibliotekat dhe arkivat e Shqipërisë. Bashkëpunimi me institucionet kombëtare në Shqipëri dhe në shtetet e tjera ku jetojnë shqiptarët, është shumë i ngushtë dhe realizohet përmes projekteve të përbashkëta hulumtuese, ekspeditave, simpoziumeve, konferencave, sesioneve e formave të tjera të bashkëpunimit

 

Simpoziumet, sesionet, konferencat, tryezat e tribunat shkencore

Puna hulumtuese e studimore e punëtorëve të Institutit Albanologjik shprehet përmes prezantimeve të ndryshme publike, siç janë konferencat, simpoziumet, sesionet, tryezat a tribunat shkencore. Në këto prezantime marrin pjesë studiues e shkencëtarë nga fusha të ndryshme profesionale ku shprehin rezultatet e punës së tyre hulumtuese shkencore. Instituti Albanologjik viteve të fundit mban më shumë aktivitete shkencore, ndërsa nga viti 2010 organizon aktivitetin tradicional shumëdisiplinor Java e albanologjisë, në të cilin, përveç punonjësve të brendshëm, marrin pjesë studiues eminentë nga vendet e rajonit dhe më gjerë.

2013 * Të gjitha drejtat e rezervuara 
Instituti Albanologjik